Kryeministri i vendit Edi Rama në një konferencë për mediat me homologun britanik Keir Starmer, u shpreh se është koha që të zgjidhet edhe një tjetër problem me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë përdorur identitet të Kosovës.
Rama u shpreh se këto persona janë kontribues në ekonominë britanike, pasi ata janë të integruar në jetën atje prej shumë vitesh.
“E fundit është, që është koha për të shqyrtuar një tjetër problem që kemi në Britani me shumë shqiptarë të cilët janë sistemuar vite më parë dhe të integruar me jetën atje, por në kohën e mbërritjes së tyre kanë përdorur pasaporta ose identitet të Kosovës, për të pasur pranimin si refugjatë lufte, ndërkohë që largoheshin nga një vend në vështirësi.
Dhe ata sot jetojnë me dy identitete, një për shtetin britanik, një këtu në Shqipëri dhe kanë probleme të vazhdueshme që mund t’u jepet zgjidhje duke qenë se janë qytetarë të integruar plotësisht prej më shumë se 20 vitesh dhe janë kontribues në ekonomi dhe jetën shoqërore të Britanisë me shumë dinjitet.
Janë 50 mijë shqiptarë me pasaporta britanike që kontribuojnë në shtetin britanik dhe afro 50 mijë të tjerë me pasaporta shqiptare si kontribues të ndershëm dhe të rregullt dhe është e papranueshme për ne që shqiptarët të vazhdojnë të stigmatizohen sikur janë problemi i Britanisë së Madhe”, u shpreh kryeministri Rama.