Një i ri 21-vjeçar është vënë në pranga nën dyshimin se ka ndezur zjarr në banesën e kryeministrit britanik Keir Starmer, e cila ndodhet në pjesën veriore të Londrës. Sipas Policisë, besohet se zjarri është shkaktuar me qëllim të rrezikimit të jetës së njerëzve.
Zyrtarët e Policisë Metropolitane konfirmuan se arrestimi është kryer në orët e para të mëngjesit dhe i dyshuari aktualisht ndodhet në paraburgim. Sipas autoriteteve, arrestimi është i lidhur me tre incidente zjarri që kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të veriut të Londrës gjatë javës së fundit – përfshirë një banesë në zonën Kentish Toun, një automjet që është përfshirë nga flakët dhe një tjetër zjarr pranë hyrjes së një ndërtese.
Për shkak se një nga vendngjarjet është banesa e një figure të njohur publike, hetimet janë marrë përsipër nga Njësia kundër terrorizmit e Policisë Metropolitane, raporton Sky. Hetimet janë ende në vazhdim për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe shkaqet e zjarreve.
“Të tre rastet po trajtohen si të dyshimta për momentin,” njoftoi Policia. Edhe pse Keir Starmer aktualisht është banor i Douning Street për shkak të detyrës së tij si kryeministër, ai ende zotëron adresën e tij private në veri të kryeqytetit. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, edhe pse hyrja e banesës është dëmtuar. Një prej banorëve të lagjes deklaroi se dëgjoi një zhurmë të fuqishme që i ngjante shpërthimit të një koktej molotovi.