Historia e boksierit të njohur shqiptar Florian Marku merr një kthesë të papritur. Ai u arrestua sërish në Londër pasi arriti të dilte nga burgu në Gjermani.
Gazetarët e Top Channel, Andy Tufa dhe Muhamed Veliu, kanë arritur të sigurojnë ekskluzivisht dokumentin e gjykatës së ekstradimit të Londrës, sipas të cilit, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar, ai u arrestua dhe u çua përpara organit të drejtësisë, e cila i komunikoi thashethemet që vijnë nga urdhërarresti i Greqisë.
Sipas kësaj letre, Florian Marku akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, plagosje me pasoja të rënda, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve.
Marku ka pranuar vullnetarisht që të ekstradohet në shtetin grek për të vazhduar pjesën e mbetur të dënimit, pasi bëhet fjalë për ngjarjen e vitit 2010 kur ai u përlesh në një lokal nate në Selanik kundër disa shtetasve rusë.
Sipas mediave greke, ajo ngjarje parashikon një dënim me 7 vite burg, për të cilin Florian Maku ka kryer më parë vetëm 1.5 vjet. Për momentin Top Channel ka mësuar se teksa pritet që autoritetet greke të shkojnë për të marrë boksierin shqiptar, i cili ndodhet në një qendër paraburgimi në Londër.
Edhe pse mbrojtja kërkoi lirimin e tij me kusht, Gjykata e Ekstradimit në Londër e rrëzoi kërkesën me arsyetimin se ky shtetas nuk mund të lirohet me kusht për akuzat e rënda të ngritura ndaj tij.